Kryeministri Edi Rama është paraqitur të hënën në Gjykatën e Lartë në gjyqin mes tij dhe deputetëve demokratë Arben Ristani dhe Edi Paloka.
Pas daljes nga gjykata, zoti Rama nënvizoi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i dhënë fund “politikës që jeton me shpifje”.
“Njoh akuzues që jetojnë si shpifës profesionistë. Ka ardhur koha t’i japim fund politikës që jeton me shpifje. Publiku po përmbytet përditë nga shpifje monstruoze. Opinioni po çoroditet dhe Shqipëria po turpërohet në sytë e opinionit ndërkombëtar. Do të bëj gjithçka kam në dorë për të dhënë një kontribut të frytshëm në këtë betejë mes individësh që bëjnë mirë dhe atyre që e shikojnë politikën si mundësi për të bërë keq”, deklaroi kryeministri pas daljes nga Gjykata e Lartë pas seancës me Arben Ristanin.
Ndërkohë, deputeti demokrat Arben Ristani, i paditur për deklaratat e tij për kriminalizmin e Kuvendit, kërkoi që kryeministri Edi Rama të tërheqë padinë pasi deklaratat që ka bërë nuk kanë qenë personale, por një qëndrim i Partisë Demokratike.
Pas seancës me deputetin tjetër demokrat, Edi Paloka, kryeministri deklaroi: “Me paturpësi kërkojnë pushimin e çështjes pasi nuk kanë asnjë provë, kanë vetëm opinione. Asnjë provë, asnjë fakt, asnjë logjikë.”
Nga ana e tij, deputeti demokrat Edi Paloka deklaroi: “Kryeministri po përpiqet të legjitimojë krimin. Kemi prova që do t’i prezantojnë avokatët. Kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe bindjet tona vijnë nga provat që do të paraqesim.”