Në një takim në Kryeministri me eksportuesit, Edi Rama deklaroi të premten se “shifrat e eksporteve janë inkurajuese”.

“Shqipëria ka eksportet më të larta në rajon dhe kjo gjë na inkurajon. Gjithashtu, ka rritje të eksporteve me rajonin, pasi rritja e përgjithshme është edhe me BE-në. Eksportet me Kosovën janë më të larta se anjëherë dhe kur kjo ndodh në kushte vështirësish të mëdha për shkak të tkurrjes së tregjeve, nuk ka se si të mos ndihemi mirë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Advertisement

Rama shtoi se duhet “të shfrytëzojmë çdo mundësi për të mbështetur prodhimin industrial dhe atë për eksport. Prodhimi industrial është një kolonë e rëndësishme për të ndërtuar Shqipërinë siç duhet”.

Kryeministri theksoi se tashmë kemi hyrë në një fazë të re me kontrollin e bizneseve mbi bazë risku: “Do të evitojmë vizitat abuzive të tatimorëve nëpër subjekte. Duam të shmangim tmerrin që gjithfarë agjencish të vijnë dhe të bëjnë vizita për lloj-lloj përrallash që marrin kohë dhe ju stresojnë”.