Rama: Ja sa do të rriten pagat në arsim

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me pedagogët e Universitetit të Tiranës, ku ka deklaruar se reforma e ndërmarrë nga qeveria e tij ndryshoi tërësisht sistemin arsimor në vend.
“Kjo që kemi ndërmarrë ne është vetëm fillimi i një procesi ku konkurrenca duhet të ashpërsohet vit pas viti dhe ku hyrja në universitet duhet të bëhet më e vështirë dhe jo më e lehtë, për t’u siguruar që kush del nga universiteti të jetë shërbëtor i formuar i këtij populli”, ka shtuar Rama.
Më tej Rama u ka premtuar pedagogëve se pagat e tyre do të rriten. “Vetëm universiteti do të marrë 5 milionë dollarë nga fondet për pagat. Profesori i universitetit do të marrë 139 mijë lekë të vjetra në muaj më shumë, lektori do të marrë 103 mijë”, ka thënë Rama.
Ai u ka kujtuar të pranishëmve se, në 2013 buxheti i Ministrisë së Arsimit nuk mjaftonte për të mbuluar pagat e pedagogëve dhe personelit dhe parashikonte pagat vetëm për 9 muaj.
Në të njëjtat linja, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka deklaruar në këtë takim se reforma në arsim u dha përgjigjen e merituar skeptikëve të saj. Në fjalimin e mbajtur, Nikolla ka theksuar se reforma në fjalë dëboi format e ilegalitetit që sipas saj kishin përfshirë sektorin e arsimit gjatë qeverisjes së kaluar.

Advertisement