Gjatë inspektimit të rrugës Qukës – Qafë Plloçë pjesë e Korridorit Tiranë-Korçë (Korridori VIII), kryeministri Edi Rama tha se siguria e rrugëve, sa i përket çështjes së parametrave dhe standardeve, është zgjidhur tashmë. Ky një investim me vlerë 152 milionë dollarësh, tashmë po zbatohet në terren. Ai theksoi se janë marrë masat që komunitetet pjesë e këtij projekti infrastrukturor, të aksesojnë rrugën siç duhet, me parametra dhe standarde të përcaktuara. “Një nga problemet kryesore që kishte projekti ishte që ishte një mur me rrugë ku asnjë nga njerëzit e gjithë kësaj hapësirë nuk kishte asnjë lloj aksesi. Pastaj, me dëmin përkatës për ekonominë, për aspektin social. Tani është marrë masa që të gjithë komunitetet ta aksesojnë rrugën ashtu siç duhet, me parametra dhe standarde të përcaktuara. Njëkohësisht, për sa i përket çështjes së vaditjes, të mos ketë dëmtime dhe pengesa për shkak të rrugës,” deklaroi Rama. Ky projekt i rikonceptuar nga e para, ka të përfshira tashmë plot 120 ura dhe nënkalime për banorët e zonave që preken nga ky projekt, si dhe sinjalistikën me të gjitha elementët e nevojshëm të sigurisë. Segmenti rrugor me gjatësi 43.4 km së bashku me rrugën Tiranë-Elbasan, kanë një rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, për shkak se do të mundësojnë një lidhje të shpejtë dhe komode mes portit të Durrësit dhe vendeve të tjera si Greqia, Turqia, Maqedonia, Bullgaria. Ky projekt ka impakt të rëndësishëm edhe për shkak se bashkon Korçën dhe Tiranën duke mundësuar lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit. Gjithashtu, projekti do të përmirësojë dukshëm lëvizjen duke bërë që distanca e pikave që projekti lidh, të shkurtohet afërsisht 8 km krahasuar me variantin ekzistues.