Rama: Hetimi i “CEZ” të nisë nga vendimi i ERE-s; Berisha: Është afera më e madhe

Në fjalën e tij të mbajtur nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje, kryeministri Rama ka folur në lidhje me aferën e CEZ-it, për të cilën nuk ka përjashtuar pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë, por ka kërkuar mes të tjerave nisjen e hetimeve që nga vendimet e ERE-s, pas të cilave, siç thotë ai, fshihet pala e sotme akuzuese ndaj qeverisë aktuale.

“Ju flisnit për 600 mln euro të vjedhura nga ne, ndërkohë që kryetari “de facto” thotë 800 dhe ai aktuali thotë 500, e çfarë bëni ju? Thjesht keni marrë një mesatare të këtyre dy shifrave. Megjithatë, për këtë ne i kemi kërkuar FBI-së të shprehë disponueshmërinë për të asistuar hetimin, meqë ju deshët hetim ndërkombëtar. Do të jemi shumë të lumtur nëse na bashkoheni nëse do të marrim një përgjigje pozitive nga hetuesit e FBI-së. Por çfarë ndodhi me kompaninë e famshme? Ndodhi ajo që ne e kishim paralajmëruar që në 2009-n, por nuk dua të kujtoj deklaratat e mia si kryetar i opozitës, ashtu sikurse dhe deklaratat e Erion Braçes. Po ju bëj një ftesë që të ndiqni ecurinë e këtij privatizimi, ku brenda një viti ndryshuan 4 herë me forcë deklaratën rregullatore dhe pas hapjes së ofertës dhe negociimit me CEZ-in, ndryshuat në favor të tyren, duke krijuar premisat e dështimit të plotë të këtij privatizimi në kurriz të shqiptarëve. Pikërisht ky ndryshim që bëtë ju, u kthye në një kartë të bardhë për kompaninë që ta përdorte kundër qeverisë shqiptare në Arbitrazh. CEZ-it ju dha garanci për moscënim nga askush dhe nga asgjë, ndërkohë që dëmi financiar në kurriz të financave publike, me të gjitha favorizimet e bëra në deklaratat rregullatore, llogaritet në 250 mln euro. Vendimi i ERE-s që do t’u shërbejë hetuesve shqiptarë dhe të huaj, si fillesa e një tërësie zinxhir aktesh hetuese të veprave që kanë bërë këta dhe që së fundi e denoncojnë publikisht se i emëruari i atëhershëm u shkarkua për shkak të dyshimeve që u krijuan në lidhje me këtë vendimmarrje. Nuk po u referohem burimeve që thonë se kryeministri vet e kishte instruktuar ERE-n për këtë vendim, por kur i doli afera i kërkoi dorëheqjen kryetarit. Pse kryeministri i kohës nuk celi menjëherë hetimin ndaj kësaj çështjeje? Por vazhdoi me vendimet e tjera për uljen e cmimit për ta shitur nga deshi, pa u mbështetur në asnjë normë juridike në nivel qeveritar. Një tjetër element që do t’u shërbejë hetuesve për të zbardhur këtë aferë. Pazarxhinjtë e djeshëm na janë bërë akuzaxhinjtë e sotëm. Në fakt është ERE që ka ratifikuar këtë negociatë të fshehtë, duke konfirmuar se është e njëjta zyrë, ku unë jam sot, që komandonte të gjitha mekanizmat në vendimmarrjen për aferën e CEZ-it. Sado të fshihen pas vendimmarrjes së ERE-s, kam frikë se nuk do t’u fshihen dot atyre që do të hetojnë gjithë këtë pazar, për të mos folur për përzënien e dhunshme të një kompanie ndërkombëtare, duke i dhënë një armë vrasëse në dorë palës çeke pas pushimit të të gjithë hetimeve nëpër prokurori kundër punonjësve të CEZ-it”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Advertisement

Por ish-kryeministri Berisha, duke marrë sërish fjalën ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Rama.

“Rama vjedh përditë. Ai kontrollon çdo tender në këtë vend. Miku i tij fitoi tenderin për objektin e OSHEE-së me ofertën më të lartë”, ka deklaruar Berisha, i cili më pas u është kthyer akuzave lidhur me çështjen e CEZ.

“Afera e CEZ-it është më e madhja, por Rama vijon me mashtrimet e tij. Konflikti me DIA-n është i sajuar”, ka thënë më tej Berisha, i cili ka akuzuar qeverinë se ka dështuar me rekuperimin e humbjeve.

Duke shprehur sërish mbështetjen për një hetim ndërkombëtar, Berisha ka shtuar se, paditë e CEZ janë pa argumente.