Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar lidhur me hetimin ndaj kandidatit të djathtë për Bashkinë e Vorës, Fiqiri Ismaili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se kjo parti inkurajon organet e drejtësisë për hetime transparente dhe të pandikuara nga asnjë presion politik.
“Në emër të LSI-së inkurajoj veprimin ligjor të forcave të policisë dhe gjithë sistemit të organeve të drejtësisë që duhet të zbatojnë me rreptësi ligjin, të veprojnë të pandikuar nga asnjë presion politik, por me transparencë dhe ligjshmëri, të hetojnë këtë rast dhe çdo rast tjetër që ka të bëjë me këtë shfaqje të korrupsionit elektoral”, tha Rama.
Z. Rama tha se u është dërguar një shkresë zyrtare misioneve vëzhguese, në veçanti OSBE/ODIHR që javën e fundit të fushatës të jetë prezent në Vorë, pasi sipas tij, ka të dhëna se tendencat e manipulimit do të vijojnë.
“Kam paraqitur një shkresë zyrtare për të gjithë misionet vëzhguese, në mënyrë të veçantë për OSBE/ODIHR, të cilat i ftoj të jenë të pranishme në Bashkinë e Vorës nga sot deri në realizimin e zgjedhjeve, sepse kjo javë që është dhe java e fundit, do të karakterizohet nga tendenca apo përpjekje të tjera të kandidatit të PD-së për të blerë e korruptuar votuesit”, vijoi Rama.
Ai bëri të ditur se LSI ka depozituar një kallëzim penal për noterin Shaban Gjoka, që sipas kësaj partie, është i implikuar pas qindra dëshmive të qytetarëve të Vorës, për falsifikim.