Gjatë vizitës në Hamburg, Kryeministri Edi Rama iu adresua Forumit Ekonomik Gjermani-Shqipëri. Kryeministri iu drejtua investitorëve gjermanë me ftesën për të eksploruar mundësitë që Shqipëria ofron në fusha me potencial të lartë zhvillimi si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia e industria ushqimore, administrimi i ujërave. “Potenciali është shumë i madh në fushën e energjisë, nga hidro tek nafta dhe mineralet. Dua të nënvizoj faktin që sot po shohim një rikthim në industrinë minerare, ku ne po fillojmë të mbyllim ciklin e prodhimit, së bashku me atë të nxjerrjes, gjë që deri disa vite më parë nuk ndodhte në Shqipëri. Ne po shohim investime të mëtejshme në eksplorimet e naftës dhe investime të tjera në hidrocentrale dhe të gjitha këta janë përbërës të një ekonomie që është gjithmonë e më shumë e bazuar në burimet e qëndrueshme të rritjes. Sektori prodhues ka një potencial të madh zhvillimi, me një kosto ende shumë të ulët të krahut të punës, por me cilësinë më të lartë që dikush mund të kërkojë për tregun europian.” Rama garantoi se të investosh në Shqipëri është një ide shumë e mirë. “Kemi një kosto të punës kaq të ulët dhe 15% tatim fitimi për biznesin, çfarëdo qoftë ai, gjë që në Gjermani nuk është e mundur as të mendohet e jo më të aplikohet në realitet, dhe pastaj shumë avantazhe të tjera që në fund, duke bërë një bilanc, mund t’ju them se në përgjithësi të investosh në Shqipëri është një ide shumë e mirë.” Kryeministri ftoi investitorët e Hamburgut dhe ata gjermanë në tërësi për ta konsideruar investimin në Shqipëri si një investim në një treg rajonal.