Rama fton biznesin italian: Ka nisur një kthesë drejt rritjes së investimeve

Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një tjetër vizitë në Itali me qëllim shtimin e prezencës së bizneseve italiane në Shqipëri.Në rajonin e Abruzzo-s, Rama është pritur nga Kryetari i Bashkisë, ku ka zhvilluar një takim me biznesmë të këtij rajoni, për të promovuar potencialet e Shqipërisë dhe kornizën e favorshme fiskale për të investuar.
“Ne kemi ndërmarrë një proces reformash strukturore dhe ekonomike, që është edhe angazhimin kryesor të qeverisë sonë. Sigurisht, me objektivin prioritar për të integruar vendin tonë në Bashkimin Europian, pa asnjë dyshim ne kemi me objektivin strategjik të rigjallërojmë ekonominë e vendit dhe të riforcojmë aspektin social të saj. Momentalisht, jemi duke diskutuar në Parlament ligjin e ri për investimet e strategjike, ligjin e ri për turizmin, një ligj të ri për partneritetin publik privat, të cilit duam t’i japim një theks më të fortë. Po ashtu kemi përcaktuar edhe disa zona të lira ekonomike, si dhe një numër privatizimesh të rëndësishme. Politika jonë fiskale është ngushtësisht e lidhur me objektivin për të tërhequr investitorët e huaj dhe për të inkurajuar sipërmarrësit tanë.Tatimfitimi tek ne është vetëm 15% dhe është i sheshtë, që do të thotë që të gjitha sipërmarrjet paguajnë 15%, pavarësisht sa ato fitojnë. Pra, nuk kemi një taksim progresiv, si këtu në Itali. Ky 15 përqindësh është i vetmi tatim mbi sipërmarrjen”, tha Rama.
Kryeministri ftoi sipërmarrësit të vizitojnë Shqipërinë për të parë mundësitë e investimit në energjinë e rinovueshme, manifakturë, bujqësi, turizëm apo sektorin minerar.
Gjatë vizitës në Abruzzo, Rama takoi presidentin dhe autoritete të larta shtetërore të rajonit. Një fushë të cilës po i kushtohet vëmendje nga qeveria tha kryeministri, është ajo e energjisë.
“Ne jemi pjesë edhe e projektit madhor energjetik, gazsjellësit TransAdriatik, që është një projekt strategjik për ne, për Italinë dhe padyshim edhe për më gjerë. Besojmë shumë tek ky projekt, i cili po bëhet edhe më i qartë në kontekstin e ri gjeopolitik, sidomos pas vendimit të Rusisë për të anuluar gazsjellësin SouthStream. TAP është një projekt plotësisht në përputhje me direktivat e Komunitetit Europian të Energjisë dhe BE-së. Ne e mbështesim fuqimisht si një projekt për paqen dhe sigurinë”, tha Rama.
Projekt tjetër me rëndësi në energjetikë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri është projekti Adriatiko-Jonian.
Me qëllim ngritjen e partneritetit mes dy vendeve në një nivel më të lartë, Rama tha se po mendohet dhe organizimi i Samitit të Parë Ndërqeveritar.

Advertisement