Në fjalën e djeshme përgjatë prezantimit të ekspozitave në New York, kryeministri Edi Rama e akuzoi ish-ministrin e Arsimit, Et’hem Ruka, më tepër me ironi, si hajdut pikturash.
“Ishte një torturë e vërtetë në Këshillin e Ministrave. Nuk i ndiqja dot, nuk kuptoja dhe pikturoja gjithë kohës mbi shkresa. Kisha ministrin e Arsimit në krah, që përherë në fund më pyeste, a mund ta marr këtë? Po,- i thosha, – merre. Kur shkova në zyrën e tij dhe më tregoi të gjitha pikturat e mia që i kishte koleksionuar nga mbledhjet, i thashë asistentes sime: “Ky duhet të jetë hajdut, njerëzit me siguri kanë arsye që e akuzojnë se ai ka vjedhur artin tim”,- tha Rama.
Pas këtyre akuzave me ironi nga kryeministri, i është përgjigjur ish-ministri i Arsimit, Ruka, përmes faqes së tij të Facebook-ut. Në një shkrim, plot e përplot me gabime drejtshkrimore, që nuk i shkon përshtat një ish-ministri Arsimi, Ruka i përgjigjet Ramës për akuzat e tij.
Ja çfarë shkruan Ruka në të:
“Lexova me vëmendje intervistën e Zotit Rama lidhur me ekspozitën e fundit të pikturave në SHBA dhe u ndjeva mirë dhe keq. Ndoshta humori i Ramës në këtë intervistë nuk është kuptuar mirë. Është e vërteë se unë i kam marrë Ramës rreth 70 piktura të bëra në mbledhjen e qeverisë. Vura re se mbasi mbaronte një vizatim e hidhte në kosh. Më vinte me të vërteë keq dhe i kërkova të m’i falte duke i firmosur dhe shkruar Pr. Rukës. Sigurisht dhe datën. Pak e nga pak koleksioni u shtua.
Kur Z. Rama u zgjodh kryetar bashkie në Tiranë u akuzua për shpërdorime ndaj dhe me nismën e PD u ngrit një komision hetimor. Në atë kohë unë shkrova një artikull në mbrojtje të Ramës me titull “Rama, ky Hausman i vogël” ku bëja një paralele mes prefektit të Parisit në vitet 1850 që rindërtoi Parisin e sotëm dhe Ramës si kryetar bashkie që transformoi Tiranën. Fola në telefon me Ramën për shkrimin dhe ai më ftoi në Bashki për një kafe. Kur mbërrita aty i thashë Ramës: “Ato që thonë ata te PD per ty s’janë gjë. Korrupsioni yt është në këto dy dosje dhe i hodha në tavolinë dy dosjet ku ishin sistemuar pikturat e tij”. Në fillim ai u trondit, por sa hapi dosjet u habit me koleksionin e pikturave që vetë m’i kishte falur. Aty kuptoi se puna e tij kishte vlerë. Më falënderoi dhe u ndamë miqësisht. Që nga ai çast ai filloi t’i mblidhte vetë pikturat që bënte. E bëra këtë shpjegim për t’i freskuar kujtesën Ramës për të vërtetën e “hajdutërisë sime” për pikturat e tij. Gjithçka tjetër nuk është aspak e vërtetë. Gjëja që falet, falet. Në komentet e bëra nga shtypi dhe rrjetet sociale për këtë çështje u ndjeva keq. Nëse unë nuk do kisha mbledhur ca nga pikturat e para të Ramës ndoshta ato do kishin përfunduar në koshin e kryeministrisë dhe zor se Ramës do t’i kishte vajtur mendja të ruante punën e vet dhe të hapte sot ekspozita. Edhe unë kam ndërmend të hap një ekspozitë me to ose të përgatis një botim…”,- përfundon shkrimi i Rukës. /Blitz.al/