Kryeministri Edi Rama, në një deklarim për mediat, jashtë sallës së Kuvendit, u shpreh se e gjitha çfarë pa publiku shqiptar sot ishte një shfaqje shumë e trishtueshme, në të cilën, sipas Ramës janë përfshirë një ‘tufë politikejsh dhe rrugeçërish”.

“Kostoja e këtyre sjelljeve është e shqiptarëve, që nga Parlamenti presin të dëgjojnë për reformat, për ligjet, për të cilat ka nevoje procesi i reformave dhe i modernizimit të vendit, për ekonominë.Eshtë për të ardhur keq që Shqipëria sot, jo vetëm që nuk ka opozitë, por ka një opozitë, e cila përveçse ka braktisur misionin e saj për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që e kanë votuar, është kthyer në zërin e skutave më të errëta të një bote me të cilën politika është e vendosur të ndahet”, tha Rama.
Kryeministri, i cili gjatë punimeve të sotme, nuk dha asnjë deklaratë para deputetëve, për mediat u shpreh se me qëndrimin dhe reagimet e sotme Berisha ritregoi hapur standardin e tij,që e ka ushtruar për vitet në krye të Qeverisë, që një njeri në krye të pushtetit i mbyll gojën Prokurorisë.
“Ende sot ka lënë pa përgjigje 21 janarin dhe shumë drama e skandale të tjera korruptive. Ne kemi një standard tjetër, që është i shpallur dhe mbi të cilin jemi të vendosur të ecim përpara, standardin e punëve të ndara. I takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën e kësaj farse që na turpëron të gjithëve, sepse merret me mend çfarë kuptojnë nga e gjitha kjo marrëzi partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Rama.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, – tha Rama, – një ditë më parë çmontoi në mënyrën më të plotë akuzën e ngritur.
Sipas tij, megjithëse në këtë farsë është përfshirë një turrë personazhesh, askush nuk synon të përfitojë për shkak të lidhjes familjare apo politike me Partinë Demokratike apo Partinë Republikane me gjithë atë, që Rama e quajti ‘sojin e opozitës që po tretet në llum’. “Ne do ia lëmë drejtësisë që të merret me këtë çështje deri në fund. Nëse flasim për institucione, këto janë institucionet. Transformimi i Parlamentit për një daulle në vallen e shpatave, nuk është mënyra e duhur”.

Advertisement