Në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve të talentuar shqiptarë, Kryeministri Rama është shprehur se së shpejti do të kalohet për miratim ligji për aktivitetet e basteve online për të cilin ka thënë se do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar këtë aktivitetet.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka deklaruar se të gjitha të ardhurat që do të përfitohen nga aktiviteti i basteve online do t’i kalojnë sportit, teknologjisë dhe kulturës.
Edi Rama: Ne kemi një politikë financiare që i fut sportistët tanë elitarë në nivelin e parë evropian përsa i përket mbështetjes financiare. Jemi të parët në rajon dhe duam të vazhdojmë këtë duke shtuar dhe një mbështetje për periudhën stërvitore speciale sepse aty ka akoma një boshëllëk për t’u stërvitur në kushtet optimale me trajnerët në ato parametra, siç është rasti i Luiziës që kishte nevojë për stërvitje.
Së shpejti do të kalojmë për miratim pasi të hyjë në këto ditë në procesin e konsultimit publik, ligjin për aktivitetet e basteve online që do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar një aspekt të këtij formaliteti bastesh që siç na ka treguar eksperienca, jo vetëm ne që s’kemi mundur ta ndalim, por edhe vende të tjera pasi është një lloj aktiviteti që shfrytëzon hapësira të pafundme.
Në vend se ky të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon paraja e zezë, por të formalizohet ku të kenë akses kompanitë e mëdha ndërkombëtare, ku sipas ligjit, të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë sportit, kulturës dhe teknologjisë. Do të jetë mbështetja e mëtejshme e eduktimit digjital të të rinjve.
Ndryshe nga më parë, këto do të jenë të fokuara vetëm në sport. Do të kemi një strukturë të re që do të bëjë mbikëqyrjen e kësaj industrie të re dhe do të kemi një bord kombëtar ku do të jenë pjesëmarrës nga qeveria, pjesëtarë nga sporti për të përcaktuar ndarjen e fondeve sipas projekteve dhe nevojave të federative sportive, të grupeve apo subjekteve që janë të interesuara për të zhvilluar aktivitete kulturore.