Rama dhe Schultz kërkojnë rikthimin në Parlament të opozitës shqiptare

Kryeministri Edi Rama ka ftuar opozitën që të rikthehet Parlament. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schultz, kreu i qeverisë shqiptare tha se tashmë janë plotësuar të gjitha kërkesat legjitime që opozita ka bërë.

“Në lidhje me opozitën dua të nënvizoj se ne po presim që ajo të kthehet në parlament, kemi përmbushur të gjitha ato që ata i pretendonin si kërkesa legjitime. Në të njëjtën kohë jemi të hapur për çdo gjë që ata do duan të propozojnë, menjëherë do ulemi të bisedojmë me ta për të gjetur zgjidhjen më të mirë, por pa u bërë e njëjta parti, sepse ky natyrisht nuk është një opsion.” ka theksuar kreu i ekzekutivit Rama. Ndërkaq në të njëjtën linjë është shprehur edhe Presidenti i PE i cili sqaroi se edhe në kohën kur z. Rama ka qenë në opozitë, ai i ka kërkuar të rikthehet në Parlament. “Parlamentarët zgjidhen që të shkojnë në parlament dhe votuesit nuk i zgjedhin që të rrinë jashtë tij, sepse kjo është detyra e parlamentarëve – është shprehur Schultz, duke vijuar më tej se – Këtë i kam thënë dhe Edi Ramës kur ishte në opozitë dhe e ftova që të kthehej në parlament, gjë që ai e bëri. Kështu që, unë nuk kam ndryshuar mendim në lidhje me këtë. Këshilla ime si parlamentar i zgjedhur është që të gjithë parlamentarët të punojnë në parlament.” Presidenti i PE-së ndër të tjera u shpreh se gjatë takimit me Ramën ka pasur shkëmbim pikëpamjesh për marrëdhëniet e brendshme në Shqipëri, marrëdhëniet me fqinjët dhe situatën në botë dhe rolin e BE-së. Ndërkohë që kryeministri Rama ndërsa shprehu kënaqësinë që Schultz do të vizitojë Shqipërinë, theksoi se vendi ynë do të ecë dhe do të tregojë një shembull në të gjithë drejtimet që ju doni të dëgjoni nga ne, si për shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, modernizimin.

Advertisement