U çel sot në Tiranë, kursi i parë që do të përgatisë infermierët që do të punësohen në Gjermani.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann bënë apel që të ndiqet rruga ligjore për punësimin në Gjermani.
Kryeministri Edi Rama ritheksoi se e vetmja mundësi për punësimin e shqiptarëve në Gjermani, dhe jo vetëm, është rruga ligjore.
“Ëndrra për të jetuar në Gjermani apo në një vend të Europës së Bashkuar është plotësisht e realizueshme, vetëm përmes rrugës ligjore. Por, sot janë shumë të paktë shqiptarët që mund ta ndërmarrin këtë rrugë”, u shpreh kryeministri në ceremoninë e organizuar me këtë rast.
Duke e konsideruar çështjen e azilkërkuesve një problem shumë kompleks Rama vuri në dukje se ka një dallim thelbësor mes nesh dhe personave që vijnë nga vendet në konflikt dhe kërkojnë azil.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann u bëri thirrje shqiptarëve që të mos drejtohen në Gjemani për të kërkuar azil, pasi sipas tij, kjo është rruga më e keqe e mundshme, por t’u drejtohen projekteve të organizuara ligjore.
Ai shprehu entuziazëm për faktin se tregu gjerman i punës po hapet për forcat e kualifikuara shqiptare. “Nëse dikush do të punojë në Gjermani, atëherë ju lutem mos kërkoni azil, sepse kjo është rruga më e keqe e mundshme, por drejtohuni këtyre projekteve të organizuara ligjore”, tha Hoffmann.
Sipas tij, forcimi i edukimit profesional do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Shqipërisë, i cili është shumë i nevojshëm. Secili prej jush, vijoi ai, duhet të përpiqet në mënyrë profesionale e ligjore të hyjë në tregun gjerman të punës, jo duke iu drejtuar ambasadës gjermane për azil politik, por duke kërkuar punësim të organizuar ligjor.
Sektori i shëndetësisë, vlerësoi Hoffmann, është shumë interesant nëse bëhet fjalë për të edukuar më tej forcat profesionale. “Sistemi shëndetësor është i rëndësishëm sepse ne në Gjermani kemi vjetërsim të popullsisë, çka do të thotë se kemi një boshllëk sa i përket forcave të kualifikuara në këtë fushë”, u shpreh Hoffmann.
Kryediplomati gjerman solli në vëmendjen e të pranishmëve edhe deklaratën e Kancelares gjermane, Angela Merkel, të para pak kohëve, përmes së cilës ajo siguroi se qeveria gjermane do të çojë përpara negociatat për integrimin e mëtejshëm të ish-vendeve lindore në Bashkimin Europian.
Duke vlerësuar përvojën e kompanisë DEKRA, e cila angazhohet për trajnimin e një stafi infermirësh për të mundësuar punësimin e tyre në Gjermani për të paktën dy vite, Hoffmann i kërkoi asaj shtrirjen e aktivitetit të saj edhe në fusha të tjera. “Kjo është një prespektivë e rëndësishme dhe ne mendojmë se kjo do të jetë një mënyrë e mirë për të ndihmuar e për të zgjidhur problemet e këtyre azilkërkuesve të pashpresë”, nënvizoi Hoffman.
Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se ky kurs do të përgatisë të rinj shqiptarë për të hyrë në tregun gjerman të punës.
“Ky projekt shënon një arritje të madhe pasi do të përgatisë infermierët e parë, të cilëve do iu shtohen dhe punonjësit socialë, që përmes kualifikimit do të përgatiten për tregun ndërkombëtar të punës”, tha ministri Klosi në fjalën e tij.