Qeveria, një mln euro shpërblim dhe pasaporta diplomatike lojtarëve

Qeveria vendosi të shpërblejë me një milion euro ekipin kombëtar për suksesin e arritur në pjesëmarrjen e parë në një kampionat europian futbolli. Vendimi i Këshillit të Ministrave vjen menjëherë pas fitores së parë dhe historike të kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e së dielës me Rumaninë.
Goli i Armando Sadikut i dha shpresë një kualifikimi të mundshëm të Shqipërisë për në turin tjetër të 1/8-ave. Fondi prej një milion eurosh është shtuar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me qëllim shpërblimin e ekipit kombëtar të futbollit. Fondi shtohet në shpenzimet korrente dhe kundërvlefta në lekë e këtij fondi do t’i akordohet në formën e transfertës Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u përdorur për shpërblimin e futbollistëve.
Ky është vendimi i firmosur nga kryeministri Rama, i cili më herët i kishte premtuar të gjithë lojtarëve të kombëtares edhe pajisjen me pasaporta diplomatike.

Advertisement