Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë-Elbasan, në shumën prej 16 milionë dollarësh.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, ‘Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, ‘Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë’, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë-Elbasan, në shumën prej 16 000 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) USD-sh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në VKM.