Një ditë pas marshimit të unitetit në Paris, kryeministri Edi Rama dhe 4 klerikët e besimeve fetare në Shqipëri, pjesë e marshimit, mbajtën një konferencë për shtyp.
Shefi i qeverisë shqiptare, u bëri thirrje të gjithë faktorëve, që të kontribuojnë në ruajtjen e vlerave që kanë karakterizuar popullin shqiptar ndër vite, dhe më e rëndësishmja në këtë drejtim: bashkëjetesa fetare. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama dënoi sulmet ndaj “Charlie Hebdo” të asaj që ai e quajti një kasaphanë të paparë deri më tani në Europë, ndërsa shtoi se ajo ngriti zërin e miliona qytetarëve të cilët iu përgjigjen egërsisë së terrorizmit me faktin dhe çmimin e panegociueshëm të lirisë së shprehjes dhe të mendimit. Duke folur konkretisht për marshimin e djeshëm, Rama theksoi se edhe një herë Shqipëria dha shembullin e vëllazërisë fetare, siç e quajti ai, shembull të cilën Europa sot po e kërkon. Dhe duke parë rrezikun që i kanoset botës demokratike nga terrorizmi, Kryeministri i Shqipërisë, u shpreh se përgjigja më e mirë dhe më e plotë do të ishte, ruajtja e vlerave aktuale dhe kultivimi i vlerave evropiane, mes të cilave, liria e fjalës, mendimit dhe shprehjes. Për të arritur këte qëllimi, Rama theksoi se duhet një aksion i gjerë i të gjithë faktorëve, përfshirë besimet fetare, qeveritë, shoqëritë civile, dhe median për edukimin e vlerave të vërteta të islamit, në mënyrë që të rinjtë të parandalohen nga të qenurit pjesë e rrjeteve terroriste. “Qeveria dhe komunitetet fetare, kanë një boshllëk të madh për të mbushur në kuptimin shoqëror me vlerat e lartpërmendura. U jam mirënjohës klerikëve fetarë shqiptarë që pranuan të më shoqërojnë në Paris, dhe u bënë dëshmitarë aktiv të marshimit demokratik, kundër errësirës së detit të zi të urrejtjes. Si asnjëherë më parë Shqipëria rrezatoi shembullin të cilin Europa kërkon. U jam mirënjohës mediave për qëndrimet e tyre të këtyre ditëve dramatike, të cilët po e sprovojnë Europën dhe modelin tonë shoqëror. Ftesa ime sot erdhi nga nevoja për të hapur një bashkëbisedim, për rrugët e mundshme të shfrytëzimit të kontributeve të secilit për vlerën e paçmuar të vëllazërisë fetare siç unë e quaj, dhe indiferencës fetare siç e quajnë disa.” theksoi kryeministri Rama. Kreu i ekzekutivit tha se ngjarjet e Parisit nuk kanë lidhje me profetin Muhamed. Sipas kryeministrit Rama kush ka studiuar jetën e profetit Muhamed, nuk njeh asnjë rast dhune në emër të besimit, por përkundrazi. Duke folur për gazetarët e revistës satirike “Charlie Hebdo” të vrarë në sulmin terrorist, Rama tha se ata ishin njerëz të penës dhe fjalës së lirë. Shefi i qeverisë shqiptare bëri të ditur dy nisma, që do të ndërmerren në ruajtjen e bashkëjetesës fetare. E para do të jetë mbështetja edhe më e madhe karshi Forumit Rajonal të Bashkëpunimit Ndërfetar, që synon siç nënvizoi Rama të fuqizojë lidhjet ndërfetare dhe të parandalojë të rinjtë nga të qenurit pjesë e rrjeteve terroriste, ndërsa gjithashtu shtoi se kjo do të promovojë edhe bashkëjetesën harmonike mes fesë dhe shtetit laik. Kjo nismë sipas kryeministrit Rama vjen pasi terrorizmi sot nevojitet të luftohet në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndërsa lidhur me nismën e dytë, kryeministri tha se do të hapet kati i parë i godinës së Kryeministrisë ku të gjithë mund të shprehin opinionet e tyre kundër qeverisë. Dhe kjo sipas Ramës do të promovojë opinionet alternative të një bote që ja vlen të jetohet dhe që sipas tij, terrorizmi kërkon ta bëjë të pajetueshme.