Në një Qarkore të miratuar nga kryeprokurori Adriatik Llalla kërkohet nga prokurorët e rretheve që të tregohen të kujdesshëm në aplikimin e masave ekstreme të sigurisë. Veç kësaj, Prokurori i Përgjithshëm kërkon rritjen e numrit të hetimeve kryesisht me iniciativë të prokurorit, si dhe shtimin e numrit të rasteve të gjykimit të drejtpërdrejtë.
Numri i lartë i të mbajturve në paraburgim, vijon të krijojë një situatë shqetësuese që i është përjellë Prokurorisë dhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton se në sistemin e burgjeve, për periudhën Janar – Dhjetor 2015, janë trajtuar 2962 të paraburgosur. “… Pavarësisht diskrecionit që ligji i njeh prokurorit, numri i rasteve të filluara kryesisht nga prokurorët është sërish i ulët”, theksohet ndër të tjera në Qarkore.
Prokuroria e Përgjithshme kërkon rritjen e numrit të hetimeve sidomos për çështjet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, si dhe impenjimin e trupës së prokurorëve për aplikimin më shpesh të gjykimit të drejtpërdrejtë. Ky lloj gjykimi është i lidhur me situatat ku nuk ka nevojë për hetime të tjera dhe fajësia e të pandehurit është e dukshme që në aktet paraprake.