Punonjësit gënjeshtarë

Në këto rrethana të gjithë “dembelëve” u duhet të gjejnë nga një justifikim të besueshëm për mungesën në punë. Por shumë shpesh justifikimet janë kaq të çuditshme edhe në sytë e punëdhënësve që me tëpër zgjedhin të kenë besim tek punonjësit. Midis vendeve ku punonjësit që mungojnë në punë shpikin arsyet më absurde është Amerika. Këtë e ka vërtetuar më së miri dhe një sondazh i realizuar nga CareerBuilder.com, një prej siteve më të klikuar në internet për oferta pune. Sondazhi është realizuar për të analizuar fenomenin e mungesave në punë dhe kanë përpiluar edhe një klasifikim me justifikimet më idiote dhe qesharake të përdorura nga punonjësit.

Në vendin e parë të klasifikimit të justifikimeve më të çuditshme për mungesën në punë gjendet ai i një punonjësi që e ka justifikuar mungesën në punë duke thënë se “një pulë i kish sulmuar të ëmën”. Një tjetër kish thënë se nuk mundi të shkonte në punë pasi “gishti i kish mbetur në një top bowling-u”. Vendi i tretë i klasifikimit zihet nga një justifikim që i duhet dhënë çmim për kreativitetin. Punonjësi ka thënë se nuk mundi të shkonte në punë pasi “trapianti i flokëve nuk kish shkuar mirë”. Nëse zbresim më poshtë në klasifikimin e justifikimeve më absurde për mungesat në punë do të gjejmë një punonjës i cili pretendonte se “e kish zënë gjumi në tavolinë teksa punonte dhe kish përplasur kokën e kish plagosur qafën”. Më pas ka qenë një punonjëse e cila meriton një çmim për justifikimin më qesharak “një lopë më hyri në shtëpi dhe po priste punonjësin e sigurimeve që të vlerësonin dëmet”. Në vendin e gjashtë është një justifikim “u zura me të dashurën dhe ajo më hodhi lojën “Sit n Spin” (lojë e famshme e viteve 70) nga dritarja”. Në vendin e shtatë gjendet një punonjës i cili e ka justifikuar mungesën në punë “më ngeci këmba në grirësen e plehrave”.

Advertisement

Sigurisht që në klasifikim nuk mungojnë dhe punonjësit “teveqelë”. Njëri psh. i ka telefonuar shefit nga një bar në orën 5 pasdite dhe e ka lajmëruar se të nesërmen do të ishte sëmurë, ndaj nuk mund të shkonte në punë. Ndërkohë një rast tjetër duket shumë i sinqertë dhe modest. Punonjësi i ka telefonuar shefit dhe i bëri të ditur se “atë ditë nuk ndihej shumë inteligjent” ndaj do të mungonte. Në vendin e dhjetë gjendet një punonjës i cili justifikohet kështu: “duhej të prisja barin e oborrit për të evituar ndonjë veprim ligjor nga ana e pronarëve të shtëpisë”. Në vendin e njëmbëdhjetë gjendet një punonjës i cili pas festës së falenderimeve ka thënë: “Nuk erdha në punë pasi duke ngrënë një byrek me kunguj dje m’u dogjën buzët”.

Sigurisht që klasifikimi i justifikimeve unike për mungesat në punë nuk mbyllet me këto të mësipërmet. Po të hedhim një sy në klasifikimet e viteve të shkuara 2008 – 2009 të CareerBuilder gjejmë edhe këto:

• Burri më fshehu çelësat e makinës para se të shkonte në punë

• Duhej të shkoja në bingo

• Më kafshoi një rakun dhe kalova në spital se kisha frikë mos më kish kaluar tërbimin

• Dhurova shumë gjak

• Sot në mëngjes pësova një infarkt, por tani jam mirë

• Gëlltita shumë pastë dhëmbësh kur po i laja në mëngjes

• Shtypa një gjeldeti teksa ngisja biçikletën

• Gruaja m’i dogji të gjitha rrobat dhe nuk dija ç’të vishja për të ardhur në punë

Argëtuese apo jo, justifikimet nuk u pëlqejnë aspak shefave, pasi askush nuk do t’a bëjnë për budalla. Sipas të dhënave në sondazh shumë rrallë shefat i kanë quajtur të vlefshëm justifikimet e punonjësve për mungesat në punë vetëm se i kanë bërë të qeshin. Shumë shpesh justifikime të tilla qesharake kanë bërë që punonjësit të pushohen nga puna.

Këshilla që vjen edhe nga Rosemary Haefner, specialistja e CareerBuilder është: “Nëse keni nevojë të qëndroni ca kohë larg zyrës, për të evituar grumbullimin e stresit, mënyra më e mirë është të jeni të hapur dhe të ndershëm me punëdhënësit”.