Ashtu siç ishte njoftuar, $NOB do të nisë transmetimin këtë vjeshtë në ekranin e Top Channel. Përmes një komunikimi në faqen zyrtare në Instagram, @snob_tvseries, u bë e ditur data e premierës – 7 nëntor.$NOB do të transmetohet çdo të diel në orën 20:00. Çdo episod, ndërtuar sipas parametrave të serialeve në platforma si Netflix dhe HBO, do të zgjasë 1 orë. Përveç Top Channel, seriali do të transmetohet më vonë edhe online në një website të dedikuar dhe nuk do të jetë në YouTube.
Seriali i parë teen-drama në Shqipëri, bashkë-prodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film, ka në qendër një histori të trilluar nga skenaristja dhe krijuesja Dalina Buzi, por bazuar në ngjarje e personazhe të realitetit shqiptar të dekadës së fundit – “një histori e disa njëzet e ca vjeçarëve të kësaj epoke, që kuptojnë se ende nuk janë në kontroll të fatit të tyre, por janë pasojë e një sërë vendimmarrjesh dëmtuese të familjeve të tyre. Në përpjekjen e tyre për të marrë në dorë fatin dhe të ardhmen, ata përfshihen në një sërë peripecish nga të cilat do të dalin tërësisht të transformuar. Kjo është një histori e krijuar nga shqiptarë dhe e bazuar tërësisht në realitetin shqiptar, por absolutisht që tema është globale.”
Në një intervistë për “Wake up” në fillim të shtatorit, bashkëproducentja Dalina Buzi dhe regjisori Redi Treni folën se si nisi puna për serialin e parë teen-drama në Shqipëri dhe çfarë presin ata pas publikimit.
“Është interesante. Gjithçka filloi kur bota ndaloi nga pandemia,” u shpreh regjisori Redi Treni.“Ne aty për herë të parë u hasëm me skenarin që kishte shkruar Dalina. Më shumë se dëshira ime personale, ishte dëshira e Olsit [Ols Abazi, bashkë-producent i $NOB dhe bashkë-themelues i Nilor Film] që ta mbante bashkëpunimin me Dalinën dhe ndërkohë ne kishim urinë për të bërë diçka të mirë. Vinim nga një prodhim tjetër kinematografik, që e kishim prodhuar të gjithin në një studio në Shqipëri.”
Të dy e konsideruan $NOB si sipërmarrje shumë të madhe, jo vetëm në karrierën e tyre, por edhe duke u bazuar te prodhimet kinematografike vendase, pasi $NOB është seriali me koston më të lartë ndonjëherë në Shqipëri.
Për më shumë detaje, ndiqni faqen @snob_tvseries për t’u informuar të parët me të rejat më të fundit.