Shqipëria mund të ndërmarrë të njëjtin hap si Brukseli për ndalimin e përdorimit të rrjetit kinez TikTok në pajisjet e punonjësve të administratës publike.
Në emër të shumicës, ky propozim erdhi nga kreu i grupit kuvendor Taulant Balla, i cili kërkon që të tregohet vullnet politik për hedhjen e këtij hapi nga të gjitha partitë parlamentare.
“TikTok është një rrezik për sigurinë në hapësirën tonë euroatlantike. Është me shumë rëndësi dhe këtu ka nevojë për një qasje bipartizane edhe në Kuvendin e Shqipërisë”, tha ai.
SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut për punonjësit e administratës, pasi shërbimet inteligjente të këtyre shteteve kanë dyshime të forta se Pekini e shfrytëzon këtë aplikacion të zhvilluar nga firma kineze ByteDance, për të spiunuar për llogari të shërbimeve të inteligjencës së Kinës.