Partia Socialiste nis fushatën e anëtarësimeve të reja në organizatën rinore të saj, FRESSH.
Nisma u prezantua nga kryeministri Edi Rama.
“Është një përvojë e rëndësishme për të kuptuar jo vetëm se kush mund të jenë liderët e së nesërmes në Partinë Socialiste dhe në këtë vend, por për të kuptuar se sa shumë potenciale mund të zhvillojë pjesëmarrja në debat në këtë konkurs, ku përballë jurisë të gjithë ata që do të tentojnë do të duhet t’u përgjigjen pyetjeve apo të plotësojnë kërkesat e shpallura prej saj’, tha Rama.
Juria që do të vlerësojë pjesëmarrësit përbëhet nga Elisa Spiropali, Pandeli Majko dhe dy emra surprizë; Gazmend Paja dhe Arlinda Dudaj.
“Arlinda vjen nga bota e krijimtarisë, ndërsa Gazi nga ajo e gallatës”, deklaroi kryeministri Rama në prezantimin e kësaj jurie.
Elisa Spiropali shpjegoi shkurtimisht sesi do të funksionojë konkursi dhe anëtarësimet e reja. Ajo tha se skuadra e “FRESSH Voice” do të jetë e pranishme në të 61 bashkitë e vendit me dyer të hapura për të gjithë të rinjtë që nuk duan thjesht anëtarësimin, por edhe të testojnë veten në të.