PS: Luljeta Dollani, Drejtimi i duhur për Gramshin

Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama pati sot një takim me qytetarë të Gramshit, ku u prezantua kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane për këtë bashki,  Luljeta Dollani.
Në nisje të takimit, Kryeministri Rama shprehu konsideratën për kryetarin aktual të bashkisë, Dritan Bicin, për punën e bërë, edhe pse deri dy vjet më parë, qyteti ishte lënë jashtë vëmendjes së qeverisë qendrore, për shkak se kryetari i bashkisë i përkiste familjes politike të socialistëve.
“Së pari, unë besoj që duartrokitja më e fortë i takon me mirënjohje dhe respekt, Dritan Bicit, për punën që ka bërë në këto vite të vështira, ashtu si të gjithë kryetarët e bashkisë që ishin përzgjedhur mes socialistëve, përjetoi një situatë tërësisht të pamundur që pararendi zgjedhjet e 23 qershorit.”
Pas vitesh harrese, tha Rama, edhe për Gramshin ka nisur rruga e kthesës dhe me Dollanin në krye të bashkisë, pas projektit të rrugës që u premtua shumë në të kaluarën dhe që tani është në ndërtim, të tjera projekte do të nisin për qytetin.
“U ndeshën zgjedhjet e 23 Qershorit për të ndryshuar këtë situatë dhe për të filluar një rrugëtim në drejtimin e duhur ku jemi sot. Për të filluar një rrugëtim, ku përherë të parë, qeveria ktheu sytë nga Gramshi, pas kaq e kaq shumë vitesh harrese, për të mbaruar përfundimisht me historinë e premtimeve dhe gënjeshtrave për rrugën që tani është duke u ndërtuar dhe për të filluar dhe me projekte që i takojnë Gramshit në qytet.”
Duke folur për rëndësinë e zgjedhjeve të 21 Qershorit për shërbime më të mira për komunitetet dhe zhvillimin e qyteteve, Rama kërkoi votën për kandidaten Luljeta Dollani, të cilën e quajti bashkëpunëtoren dhe një partneren e qeverisë për t’i dhënë jetë projekteve për Gramshin.

Advertisement