Protesta te Liqeni, sërish konfrontime me policinë

Aktivistë të Shoqërisë Civile u përplasën sërish me forcat e policisë së rendit dhe asaj bashkiake, njësoj si dy javë më parë, për të kundërshtuar projektin për këndin e lojrave në Parkun e Liqenit në kryeqytet.

Ajo që ishte njoftuar nga Shoqëria Civile si nisma për të adoptuar një park nisi paqësisht, ndërsa këta të fundit pretenduan se detaje të reja kanë dalë në dritë për projektin, të cilat, sipas tyre, nxjerrin në pah mungesën e transparencës nga Bashkia e Tiranës.

Advertisement

Synimi i protestuesve ishte të ngrinin një çadër brenda perimetrit të rrethuar për projektin. Ky ka qenë edhe çasti kur nisi edhe përplasja fizike, pasi policia nuk i lejonte protestuesit për t’u tubuar brenda rrethimit. Policia shoqëroi dy protestues, Zirkon Dishën dhe Aranit Beqirin, ndërsa një polic i bashkisë u dërgua për të marrë ndihmë mjekësore, pas përplasjeve me protestuesit.

Ndërkohë, projektet në park kanë qenë sërish në fokus të punës së bashkisë. Më herët, kreu i bashkisë ishte i pranishëm në mbjelljen e 200 pemëve qershie të cilat e çojnë në 2700 numrin e fidanëve e pemëve që ky institucion ka mbjellë në një muaj.