Prokuroria: Motrat Kajtazi pranuan helmimin e djegien e shtëpisë

Pas hetimeve paraprake, Prokuroria bën të ditur se nga aktet e grumbulluara gjatë hetimit vërtetohet që, me dashje dhe veprime aktive, shtetaset Orialda dhe Klevisa Kajtazi, duke marrë sende dhe një shumë të hollash nga banesa e familjes së tyre për t’i vënë flakën më pas, kanë konsumuar veprat penale të “vjedhjes” dhe “shkatërrimit të pronës me anë të zjarrit”, vepra këto të parashikuara nga nenet 134/2 dhe 151 të Kodit Penal.

Hetimet i referohen ngjarjes së 16 korrikut 2015, pak pasi kishte kaluar mesnata, kur në “lagjen 15” të Durrësit, në banesën e shtetasit Hyqmet Kajtazi ka rënë zjarr dhe janë djegur sende e orendi shtëpiake, por në shtëpi nuk ka pasur njerëz, sepse kryefamiljari, bashkëshortja Anila Kajtazi dhe vajza e tyre më e madhe, Alketa Kajtazi, ndodheshin në Spitalin e Traumës në Tiranë prej shenjave të helmimit të një dite më parë, më 15 korrik.

Banorët e zonës që konstatuan zjarrin nuk gjetën njeri në banesë, edhe pse aty kishin qëndruar dy vajzat e tjera të familjes, Orialda dhe Klevisa Kajtazi, të cilat më pas rezultoi se ishin larguar në drejtim të paditur. Bashkë me to, në shtëpi – siç konstatoi kryefamiljari Hyqmet Kajtazi, – mungonin edhe një shumë e mirë të hollash, prej 400 mijë lekësh dhe 800 eurosh.

Advertisement

Pas hetimeve të kryera nga policia, si dhe pas deklarimeve të dy vajzave në rajonin e Policisë së Durrësit, përpara se ato të largoheshin nga shtëpia i kanë vënë zjarrin banesës dhe kanë lënë një letër të shkruar, me qëllim që ngjarja të dukej sikur ishte kryer nga persona, që donin të hakmerreshin. Përmbajtja e letrës së shkruar me dorë ishte e dyshimtë dhe në të lexohej “Meti ta mora hakun, të lashë pa shtëpi dhe pa dy vajzat e tua, që nuk do t’i shohësh më me sy kurrë”. Pas ekspertimit grafik të kryer më 29 korrik 2015, ka rezultuar se dorëshkrimi i tekstit në formën e një letre drejtuar Metit duhet të jetë shkruar nga vajza Klevisa Kajtazi, krahasuar me modelet e paraqitura.

Në momentin e arrestimit në Vlorë, më 13 gusht, në banesë u sekuestruan edhe 100 mijë lekë e 100 euro, telefona celularë, pasaportat në emër të Alketa dhe Orialda Kajtazit, si dhe karta e identitetit të motrës së madhe Alketa Kajtazit. Në deklarimet e dhëna, shtetaset Orialda dhe Klevisa Kajtazi kanë shpjeguar se të dyja kanë pasur konflikte në familje, janë keqtrajtuar nga prindërit dhe nga motra e madhe Alketa, si dhe janë dhunuar fizikisht prej tyre. Për të dalë nga situata e krijuar në familje u ka lindur mendimi të përdorin në ushqimin e gatuar ilaçe gjumi, të cilat janë përdorur dy herë prej tyre. Herën e parë në muajin maj 2015 dhe herën e dytë në datën 14 korrik 2015, që kanë sjellë si pasojë shqetësime shëndetësore dhe shtrimin e familjarëve në spital.

Por, pasditen kur familjarët rezultonin të shtruar në spital, dy vajzat e mbetura në shtëpi janë vizituar nga punonjës policie për të parë dhe pyetur mbi shkakun e helmimit. Vajzat e kanë ndierë veten të frikësuar dhe kanë vendosur të largohen nga banesa, si e vetmja mënyrë për të mbuluar atë që kishte ndodhur me ilaçet në ushqimin e prindërve, e njëkohësisht për të shpëtuar prej keqtrajtimit të tyre.