Prokuroria apelon të martën pafajësinë e Arben Frrokut

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të apeloj nesër vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, të dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj.
Burime nga kjo prokurori bëjnë me dije se, organi akuzës nuk e vlerëson të drejtë vendimin e shkallës së parë dhe për këtë arsye ka përgatitur dosjen për apelimin e çështjes. Organi i akuzës kishte kërkuar burgim të përjetshëm për vëllain e deputetit Mark Frroku, akuzë e cila u rrëzua nga Krimet e Rënda, të cilat argumentuan se faktet nuk mundën të dëshmoheshin.
Biznesmeni Arben Frroku, vëllai i deputetit Kristian Demokrat, Mark Frroku, ishte i dyshuari kryesor i prokurorisë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt të vitit 2013 në Tiranë.
Arben Frroku u arrestua një ditë më pas në Greqi dhe prej atëherë ai qëndroi në paraburgim deri të premten e katër prillit, kur Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm.
Avokati i Arben Frrokut ka lajmëruar se klienti i tij do të kërkoj dëmshpërblim për ditët e kaluara padrejtësisht në qeli dhe sipas llogarive të tij, shuma që Arben Frroku mund të përfitoj nga kjo është afro 23 milion lekë të vjetra.

Advertisement