Procesi i legalizimit, kryeministri Edi Rama jep çertifikata në Elbasan

Kryemnistri Edi Rama shpërndau të hënën 550 çertifikata legalizimi në qytetin e Elbasanit.

Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së këtyre çertifikatave, kryeministri Rama tha se numri i vetëdeklarimeve në Elbasan është shumë i madh, ndërsa qytetarët kanë aplikuar që në vitin 2005 dhe nuk janë pajisur me leje.
“Nuk do të lëmë asnjë familje pa u kthyer në pronare legjitime të mundit të saj. Zotimin tonë për legalizimin falas për familjet në zonat informale do ta mbajmë plotësisht”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë, Rama, informoi banorët edhe për rëndësinë e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në këtë qytet, punimet e të cilit i inspektoi sot. “Ky tumor i madh që prej 20 e kusur vitesh stërmundon organizmin e gjithë zonës së Elbasanit e që u kthye në një problem madhor jetik për të gjithë banorët e zonës, për shkak të një ndotjeje katastrofike të gjeneruar nga fusha e tmerrshme e plehrave, është sot në fazën e një operacioni rrënjesor shërues, me një teknologji të re që futet për herë të parë në Shqipëri”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri theksoi se ky impiant, i cili do të vërë në zbatim fjalën e fundit të teknologjisë, do të mbulojë të gjitha nevojat e Bashkisë së Elbasanit. “Impianti do të prodhojë një mbështetje energjetike edhe për bujqësinë dhe është një impiant që vendoset për herë të parë në vendin tonë”, shtoi më tej kryeministri Edi Rama.
Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë fjalës së hapjes tha se “Qarku i Elbasanit është një nga qarqet me problematika vërtet shumë të forta të legalizimeve për shkak se është qarku kryesor i Shqipërisë, qarku ku kryqëzohen të gjitha rrugët, të gjitha problemet dhe kjo bën që ti mbivendosen dhe problemeve që ka vetë ky qark. Drejtoria e ALUIZNI-t në Elbasan mbulon një numër shumë të madh komunash dhe disa bashki dhe në një vit punë janë përfunduar deri në këto momente 3500 dosje që janë në proces të dhënies së lejeve të legalizimit. Por më tepër se puna që po bëjmë do të doja të prekja problematikat reale me të cilat po ndeshemi duke lënë mënjanë problematikën e trashëguar, sepse është humbje kohe të numërojmë se çfarë problemesh trashëguam.
Problematikat kryesore që Elbasani ka tek legalizimet është pikërisht rishikimi i zonave informale, i kufinjve të tyre, përcaktimin e zonave të reja informale me kufinjtë e tyre, proces që hap rrugën e legalizimit. Janë disa zona që deri dje janë lënë mënjanë, siç janë zonat e ndotura, një problem shumë i madh dhe që ka ankesa nga qytetarët, por që shpresojmë që me ndërtimin e Landfillit të hapet rruga e zgjidhjes së legalizimit të tyre. Një tjetër problem që ka Elbasani dhe zona e bukur ku jemi sot, brenda Kalasë, janë ndërtimet brenda zonave kulturore. Brenda kalasë së Elbasanit, që është një nga kalatë më të bukura të banuara sot në Shqipëri, ka shumë ndërtime pa leje të cilat janë sot në gjendje pezulli, as nuk legalizohen sepse janë në zonë të mbrojtur, por nga ana tjetër Instituti i Monumenteve nuk u jep leje ndërtimi sepse është ndërtuar pa marrë parasysh kushtet e zonës. Ne po punojmë që të gjejmë një rrugë të mesme duke u thënë qytetarëve bëni këto ndryshime në projektin e ndërtimit që të futen në process legalizimi. Të gjitha këto problematika besojmë se janë në rrugën e zgjidhjes”.
Qarku i Elbasanit është një nga zonat me problematikën më të madhe në sektorin e legalizimeve dhe me afro 40 mijë ndërtime pa leje të vetdeklaruara, ndërkohë që zyra e ALUIZNI-t ka vënë në rrugën e zgjidhjes deri në këto momente 3500 dosje që janë në proces legalizimi.

Advertisement