Pritja e ëmbël e Argjentina Ramosajt

Asnjëherë nuk ka dashur të jetë në qendër të vëmendjes mediatike duke u bërë pjesë e skandaleve, megjithatë është një nga këngëtaret më të dashura të publikut, e cila është pozicionuar mjaft mirë në tregun muzikor, edhe sepse këngët që realizon gjithmonë godasin në shenjë.

Por këtë periudhë po kalon një fazë shumë të bukur të jetës, larg muzikës.

Advertisement

Së shpejti ajo do të bëhet nënë dhe është në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Këtë periudhë të pritjes së ëmbël, Argjentina Ramosaj po e kalon ne qetësi të plotë, duke shijuar çdo detaj nga përgatitjet e të voglit dhe kohën e pazëvendësueshme që i dedikon bashkëshortit.

Në një intervistë për gazetën “Paloma”, Argjentina ka ndarë me publikun emocionet që po i fal kjo pritje e ëmbël dhe ndryshimin e natyrshëm fizik që po kalon në këtë periudhë: “… po e kaloj shumë bukur, është ndjenja më e mirë dhe më e veçantë… Jam shumë e lumtur dhe këtë e reflektoj gjatë gjithë kohës.”

Jashtë vëmendjes gjatë kësaj periudhe delikate nuk mund të rrijë as bashkëshorti, i cili, siç thotë Argjentina, është shumë i përkushtuar dhe i gatshëm për ta ndihmuar në çdo gjë.

Sa u përket formave fizike, në fakt këngëtarja nuk ka ndryshuar shumë, madje as në peshë, por duket se shtatzënia e ka bërë më të bukur: “Mendoj se çdo femër e lumtur është e bukur, sepse reflekton pozitivitet dhe dashuri. Për mua, kjo është periudha më e bukur e jetës”.

Dita e Argjentinës, tani nuk është aq e zakonshme, por e qetë: “Mundohem të dal sa më shumë paradite, takoj shoqet, dal në park për ecje duke shëtitur me qenin, merrem me punët e shtëpisë dhe kaloj shumë kohë me bashkëshortin tim.”

Sa i përket ushqimit, edhe shija i ka ndryshuar gjatë kësaj periudhe. Mollët janë frutat që konsumon më shumë dhe që i ha gjatë gjithë kohës.

Muzikën për pak kohë e ka lënë mënjanë, ndonëse shpreson që brenda vitit do t’i rikthehet punës. Ndër kolegët që i ka më afër gjatë kësaj periudhe ajo përmend Gjirën, e cila është e lumtur për këtë periudhë të mikeshës së saj.