“Respekt dhe nderim i përjetshëm për veprën e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, ka shprehur Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, në akademinë përkujtimore në shtatë vjetorin e vdekjes së Presidentit arkitekt i Pavarësisë. “Presidenti Dr. Ibrahim Rugova njihet për sintagmën liri pavarësi, demokraci, që ishte platforma e tij politike: të punojmë, të fitojmë lirine, të shpallim pavarësinë, të ndërtojmë demokracinë. Kjo tashmë është bërë realitet, ashtu si edhe vizioni për miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Presidentja e Kosovës. Ajo vlerësoi se “Presidentit Rugova i takon edhe merita për ndërtimin e partive të orientimit properëndimor e demokratik, duke kultivuar karakterin liridashës, atdhetar dhe civilizues të kombit, duke hequr përgjithmonë nga këto hapësira ideologjinë komuniste, si një e keqe që i shkaktoi vuajtje popullit në të kaluarën”. “Republika e Kosovës nderon bijtë dhe bijat e veta, që kontribuan që ne sot të jemi të lirë, të pavarur, të barabartë e dinjitozë në trojet tona. Presidenti Ibrahim Rugova është në piedestalin e këtyre intelektualëve, veprimtarëve, politikanëve që si udhëheqës i zoti diti ta drejtojë popullin dhe atdheun drejtë të ardhmes evropiane”, theksoi ajo. Para akademisë përkujtimore, në shtatëvjetorin e vdekjes së Presidentit Rugova, Presidentja Jahjaga bëri homazh dhe vuri lule mbi varrin e Presidentit Rugova në lagjen Velania të Prishtinës. Presidentja Jahjaga më pas vizitoi familjen Rugova, ku u prit nga bashkëshortja dhe familjarët e Presidentit Rugova.