Prishtinë, dhunë në protestën e opozitës (Foto)

Janë regjistruar incidente në protestën e organizuar të Martën në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje, ku është qëlluar me gurë dhe sende të tjera, ndërsa policia ka ndërhyre me gaz lotsjellës.

Protesta fillimisht nisi e qetë, deri në momentin kur protestuesit nisën të qëllonin me gurë ndaj ndërtesës së Qeverisë. Ka qenë ky momenti kur Policia ka vendosur të përdorë gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Deri më tani janë raportuar rreth 33 të plagosur prej të cilëve 14 policë dhe 12 protestues. Ndër të plagosurit ka qenë edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, por edhe nënkryetari i LVV-së, Visar Ymeri.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dënoi ndërhyrjen e policisë në protestë. Ahmeti tha se protesta ishte e qetë dhe provokimi erdhi nga ana e policisë me vendosjen e barrikadave. “E dënoj ashpër këtë ndërhyrje. Protesta ishte e qetë dhe provokimi erdhi nga ana e policisë. Unë gjithmonë do të marr pjesë në protesta të tilla”, tha Ahmeti ndërkohë që ishte i pranishëm në protestë.
Mësohet se Ahmeti më pas është arrestuar nga forcat e Policisë por ështe lënë sërish i lirë teksa është shprehur se “Ky është skenar i përgatitur nga pushteti pasi po arrestohen kundërshtarët e tyre politik”.
Ndërkaq protestës së sotme i janë bashkangjitur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kryesinë e tij të partisë.

Advertisement