John Ternus ka hyrë në javën e dytë si drejtuesi i Apple dhe kompania ka zbuluar ndryshimin më të madh në historinë e iPhone-it që prej lançimit të tij, gati 20 vjet më parë.
Ternus, i cili mori drejtimin e Apple pasi Tim Cook u tërhoq nga posti i CEO-s, doli në skenë të mërkurën, gjatë eventit vjetor të kompanisë për prezantimin e produkteve të reja. Pas tij shfaqeshin imazhe gjigante të iPhone-it të parë të palosshëm.
Me një dizajn që hapet si një libër, iPhone-i i ri, i pagëzuar Duo, është modeli më i madh i prodhuar ndonjëherë nga Apple. Me një çmim fillestar prej 2 mijë dollarësh, që mund të shkojë deri në 3 mijë e 200 dollarë, ai është gjithashtu iPhone-i më i shtrenjtë deri më sot.
Ternus tha se Duo është “frymëzuar nga iPad-i”, ndërsa mekanizmin e palosjes e përshkroi si “fluid dhe plotësisht intuitiv”.
Apple ka punuar për telefonin e palosshëm prej disa vitesh.
Kur hapet plotësisht, pajisja ngjan me një iPad të vogël. Kur paloset në mes, ka pamjen e një iPhone-i më të gjerë.
Gjatë eventit, Ternus tha se Apple donte të shmangte pamjen dhe ndjesinë e telefonave të tjerë të palosshëm në treg. Sipas tij, këto pajisje shpesh “duken si dy telefona të ngjitur bashkë… duke bërë që një ekran më i madh të duket në fakt shumë më i vogël”.
Duo, tha ai, është “rezultat i një serie inovacionesh të jashtëzakonshme, të cilat mendojmë se do të ripërcaktojnë mënyrën se si përdoret një telefon i palosshëm”.
Ternus ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në zhvillimin e iPhone-it të palosshëm, pasi për shumë vite mbajti një pozicion të lartë drejtues në sektorin e pajisjeve harduerike të Apple, përpara se në fillim të këtij viti të zgjidhej si pasardhësi i Cook.
Ben Wood, analist kryesor në kompaninë e kërkimit teknologjik FDM, tha se promovimi i Ternus ka gjasa të jetë planifikuar posaçërisht “për të përkuar me atë që ndoshta do të jetë një nga lançimet më të rëndësishme të iPhone-it prej shumë vitesh”.
“Tek Apple, asgjë nuk ndodh rastësisht”, shtoi Wood.
Ndryshimi i dizajnit të iPhone-it mund t’i përgjigjet edhe kritikave se Apple ende nuk ka sjellë një tjetër produkt të madh apo një inovacion vërtet emocionues që nga iPhone-i i parë në vitin 2007.
“Ekziston rreziku që telefoni i palosshëm të përfundojë si një produkt luksoz në portofol, që shërben më shumë si simbol statusi sesa si burim i rëndësishëm rritjeje”, tha Dipanjan Chatterjee, analist në Forrester.
Deri tani, çmimi fillestar më i lartë për iPhone-in e ri ishte rreth 900 dollarë. Apple prezantoi gjithashtu të mërkurën iPhone 18 dhe iPhone 18 Pro, me çmime fillestare përkatësisht 1 mijë e 200 dollarë dhe 1 mijë e 300 dollarë.
Chatterjee tha se iPhone-i i palosshëm mund të ndjekë të njëjtën rrugë si kufjet Vision Pro të Apple, të cilat kompania i nxori në treg me një çmim prej 3 mijë e 699 dollarësh, por që nuk kanë rezultuar të suksesshme te konsumatorët.
Nga ana tjetër, sipas tij, Duo mund të bëhet “Apple Watch-i i ardhshëm”, një produkt që, megjithëse nuk është aq popullor sa iPhone-i, blihet nga miliona njerëz çdo vit.
Wood vuri në dukje se telefonat aktualë të palosshëm, të prodhuar nga kompani si Samsung dhe Huawei, përbëjnë vetëm rreth 2% të shitjeve të smartfonëve.
Edhe nëse versioni i Apple pritet të rrisë ndjeshëm interesin dhe kërkesën për telefonat e palosshëm, shitjet e tyre parashikohet të arrijnë vetëm rreth 4% të tregut total gjatë dekadës së ardhshme, sipas të dhënave dhe analizave të FDM.
iPhone është produkti më i shitur i Apple dhe përbën më shumë se gjysmën e shitjeve vjetore të kompanisë.
Në tremujorët e fundit, Apple ka deklaruar se kërkesa për iPhone-in është më e lartë se kurrë, ndërsa versioni më i fundit i pajisjes është cilësuar si lançimi më i suksesshëm i një produkti në historinë e kompanisë.


