Presidenti Nishani u uron Festën e Pashkëve besimtarëve ortodoksë

Presidenti Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve.
Në mesazhin e tij të postuar në faqen zyrtare të Presidencës, z. Nishani thotë se kjo festë “na rikujton gjithashtu se shpresa në një të ardhme edhe më të mirë nuk vdes kurrë në shpirtin tonë.”
“Drejtësia për të gjithë pa dallim, barazia mes nesh që nga më i pari e deri tek më i fundit, ndihmesa pa interes për më të pafatët dhe më të dobëtit përbëjnë thelbin e gjallesës sonë në këtë botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida të vështira.
Por Dita e Pashkëve na mbush njëkohësisht me një gjallëri të re, me një vetëbesim dhe ringjallje të vërtetë vlerash që na bëjnë të kuptojmë se nën këtë qiell të kaltër e të pastër shqiptar, e mbi këtë dhé të trojeve të lashta arbërore, çdo hall, problem, mosmarrëveshje apo pengesë mund të zgjidhet e të kapërcehet, nëse bashkojmë forcat dhe aftësitë duke menduar e punuar vetëm për të mirën e kombit tonë të bekuar”, shkruhet në urimin e Presidentit Nishani.

Advertisement