Mbështetja për një bojkotim të turit botëror të Beyonces, nga ana e punonjësve të zbatimit të ligjit, ka nisur të rritet, edhe pse kritikët e hedhin poshtë si të panevojshëm një veprim të tillë.
Apelin për bojtokimin e lançimit të turit në muajin prill, në “Marlins Park”, e lëshoi sindikata e policëve të Miamit.
Por, lufta kundër yllit të muzikës nisi thuajse menjëherë pasi këngëtarja e famshme prezantoi në “Super Bowl” videon muzikore polemizuese “Formation”.
Tema “jetët me ngjyrë vlejnë” krijoi ndjeshmëri, por më tepër reagim pati ndaj asaj pjese të videos, ku një djalë i vogël afroamerikan, i veshur me një bluzë me kapuç, kërcen përpara një rreshti policësh me mburoja e shkopa gome, përpara se në mur të shfaqen në formë grafiti fjalët: “Mos shtini më mbi ne!”.
“Të tallësh oficerët e policisë në ‘Super Bowl’ e ta shohë e gjithë bota është shumë e gabuar, – tha Ed Mullins, president i shoqatës së rreshterëve në Nju Jork. – Unë ju garantoj se, po të ketë Beyonce nevojë për ndihmë ndonjëherë, policia do t’i përgjigjet”, ishte komenti i tij.
“Por mua – shtoi polici, – më shqetëson fakti që, edhe pse është në pozitat të bëjë gjëra pozitive, ajo hidhet kundër punonjësve të zbatimit të ligjit. Beyonce e bëri deklaratën e saj, – vazhdoi Mullins, – ndërsa ne po bëjmë tonën tashmë”.