Policia e Shtetit me makina elektrike

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, prezantoi flotën e re të mjeteve të Policisë së Shtetit. 11 makinat elektrike, sipas ministrit, “do i kushtojnë shumë më pak buxhetit të shtetit dhe do jenë shumë më produktive nga pikëpamja e mbrojtjes së mjedisit, për sot dhe për të ardhmen”. “Sot ne prezantojmë një tjetër reformë, që e bën Policinë e Shtetit në Shqipëri të vetmen në të gjithë rajonin dhe një ndër pesë policitë e Europës, që kanë në përdorim një flotë në makina elektrike. Janë makina që nuk përdorin një pikë karburant. Karikohen në prizën e shtëpisë dhe shpenzojnë shumë-shumë pak. Më pak se një kafe në ditë në mes të Bllokut”, ka sqaruar ministri Tahiri. Ai tha se këto makina shpenzojnë 1200 lekë të vjetra për 100 kilometra, ndërkohë që një makinë normale në Policinë e Shtetit për 100 kilometra shpenzon 30.000 lekë. “Kjo është një kthesë e fortë në mentalitet, sepse hyjmë në ato pesë vende në Europë që sot drejtohet drejt burimeve alternative të energjisë”, tha ministri Tahiri.

Advertisement