Policia e Tiranës ka vendosur në dispozicion shumën e parave prej 100 mijë Euro për këdo që jep informacione rreth autorëve të sulmit me armë ndaj Top Channel ku mbeti i vrarë roja i këtij objekti, 60-vjeçari Pal Kola.
“Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Në orët e para të 27 Marsit, ekzaktësisht në orën 00:30, sipas policisë, persona të paidentifikuar qëlluan me kallashnikov model Ak-47 në drejtim të godinës së televizionit. Nga breshëria e plumbave mbeti i vrarë roja. Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.
DINAMIKA
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjeti i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.
Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.
ARMËT E PËRDORURA
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private përrreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët. Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjetit i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.
Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre.
MAKINA E KRIMIT
Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një pushuesi nga Kosova, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.
Nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar një analizë e detajuar e veprimeve hetimore të kryera, janë përcaktuar versionet hetimore dhe një grup i posaçëm hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore të deleguara me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Po kështu, po analizohen të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor, për kryerjen e këtij hetimi.