Po flasim për filmin me titull “Kick – Ass”, njëkohësisht dhe emri i artit të një djali të apasionuar pas komikëve, që vendos të bëhet një superhero. Problemi i vetëm është se protagonisti nuk zotëron super –fuqi ndaj shpesh e gjen veten të dhunuar nga kriminelët të cilët ai shkon dhe i hap luftë. Filmi mban regjinë e Matthew Vaughn dhe bashkëfinancuar nga Brad Pitt e pritet të dalë nëpër sallat e kinemave amerikane në 16 Prill. Për momentin traileri është ndaluar për të gjithë ata që janë nën 17 vjeç.
Në fakt mjaftojnë vetëm pak sekonda të prezantimit të filmit për të kuptuar se është plot skena dhune, fjalë të pista dhe prezantim të një protagonisteje tjetër të filmit Hit Girl. Siç kuptohet Kick Ass nuk do të jetë i vetmi që do të kthehet në super hero. Hit Girl që interpretohet nga 13 vjeçarja Chloe Moretz, është një vajzë që i vret armiqtë e saj me fshikullima dhe të shtëna në ajër. Parukja e saj vjollcë, minifundi dhe shikimi plot vendosmëri kanë tërhequr vëmendjen e janë bërë pre polemikash. Nell Minow, avokate dhe kritike kinematografike ka filluar një fushatë për të tentuar fshirjen nga interneti të trailerit në fjalë. Eliminimi i diçkaje nga interneti është një mision i pamundur, për më tepër kur bëhet fjalë për një trailer dhe Hollywoodi i mbron maximalisht. “Trailerat janë shumë të rëndësishëm, pasi e lejojnë publikun të vendosë nëse do të shkojnë t’a shohin një film apo jo”,‐ ka deklaruar Marylin Gordon nga Motion Picture Association. Edhe pse New York Times e ka cilësuar filmin “plehrë”, të shumtë janë ata që presin që të jetë një film kult i cili do të mbahet mend për shumë kohë.