Pogradec – Rama, garoj për të qënë në krye të punëve në cdo qytet dhe fshat të Shqipërisë

“Sali Berisha ua kërkon votën e vetme që keni, pasi ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë ish-kryeministra ua kërkojnë votën e vetme që keni, për të qëndruar në opozitën e opozitës, për një deputet të vetëm, që ta nxjerrë pastaj mandatin e marrë nga ju, në pazarin e vjetër të numrave dhe interesave personale, për të mbajtur peng qeverinë tuaj edhe 4 vite të tjera, si këto 18 vjet, në duart e një grushti kryetarësh, që bashkë me një grusht shërbëtorësh kanë vetëm në themel interesin e oborreve të tyre familjare dhe klanore, me kurrizin e kthyer nga ju”- theksoi Rama. Kreu i Partisë Socialiste, duke iu përgjigjur akuzave të përhershme të Berishës për mos kandidimin e tij si deputet i Partisë Socialiste tha se në këtë betejë të madhe për të ardhmen e vendit nuk po garon për një karrige, “por për një mandat për të qënë në krye të punëve në cdo qytet dhe fshat të Shqipërisë”. Ndërsa ka garantuar një qeverisje krejt të ndryshme nga ajo e 18 viteve në krye. “Unë do të jem një Kryeministër për ju, për t’u dhënë bashkë me ju zgjidhje të reja problemeve të vjetra, për të qenë bashkë me ju kudo që janë sfidat dhe duhen përballuar vështirësitë, për të bërë bashkë me ju gjëra që për 18 vjet me radhë, na i kanë bërë padrejtësisht të pamundura”- tha Rama. Më tej Rama shtoi se “Karrigia e deputetit pas 28 qershorit, do t’i duhet atij, Sali Berishës, që të ulet kur të jetë në opozitë. Ndërsa mua nuk më duhet një tjetër karrige, por një tjetër mandat për të qënë në këmbë, në krye të punëve, në çdo qytet e në çdo fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, për të realizuar programin që realizuam së bashku dhe për të ndërtuar së bashku Shqipërinë si gjithë Evropa”. Edhe njëherë tjetër Rama i ka bërë thirrje qytetarëve tu drejtohen kutive të votimit më 28 qershor për të dhënë votën e tyre për një politikë të re. “Është një votë që peshon më shumë se kurdoherë tjetër, sepse ka peshën e barrës së madhe, që kemi përsipër për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Këtë barrë ju mund ta ngarkoni vetëm mbi supet e Partisë Socialiste, duke e shtatëfishuar fuqinë e votës tuaj për deputetët e Partisë Socialiste”- përfundoi Rama.

Advertisement