Pittella-Balla bizneseve italiane: Shqipëria toka e premtuar

Në një iniciativë të përbashkët ndërmjet Partisë Demokrate Italiane dhe Partisë Socialiste Europiane, u zhvillua në Bari Konferenca ndërkombëtare “Shqipëria-Puglia, Perspektiva të reja zhvillimi të përbashkët”, me pjesëmarrjen e shumë bizneseve italiane, përfaqësues të shoqërisë civile dhe autoritete të institucioneve shtetërore.

Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Gianni Pittella, u shpreh se “Shqipëria po bën hapa të shpejtë dhe të qëndrueshëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Edi Rama premtoi se do ta rilindë Shqipërinë dhe rilindja po ndodh çdo ditë dhe në shumë sektor ekonomik dhe social. Shqipëria është tashmë një destinacion tërheqës dhe inspirues për ne italianët.” Ndërsa Kryetari i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian, Taulant Balla, u shpreh: “Lexova para disa ditësh një gazetë italiane që shkruante: “Shqipëria toka e premtuar për italianet”. Po, e vërtetë. Me reformat ekonomike që kanë lehtësuar procedurat dhe që kanë inkurajuar investimet, Shqipëria është sot një destinacion kryesor për investitorët italianë dhe jo vetëm”. Deputeti socialist bëri një prezantim të asaj çka Shqipëria i ofron bizneseve italiane në sektor si energjia, agrikultura, manifaktura, IT, etj.

Advertisement