Në këto takime pjesë e rëndësishme e fjalës së Ramës është ndalur tek presioni që po ushtrohet ndaj nëpunësve të administratës për të dhënë votën në drejtim të Partisë Demokratike jashtë vullnetit të tyre. Rama ka kërkuar nga qytetarët të denoncojnë pranë Partisë Socialiste rastet e presionit dhe burokratët që e ushtrojnë atë. “Të gjithë ata drejtues të shtetit të sotëm që nuk bëjnë punën e shtetit, por mbrojnë interesat e pushtetit, qofshin nën uniformën e policisë, qofshin nën uniformën e burokratëve të lartë të administratës për të cilët pas 28 qershorit do të kemi dëshmi se kanë kërcënuar qytetarët, se kanë kërcënuar vartësit e tyre, se kanë kërcënuar mësues dhe mjekë ne do ti vëmë përpara ligjit dhe nuk ka asnjë formë që i mbron nga ndëshkimi i ligjit”, u shpreh kryesocialisti Rama. Edi Rama duke folur për lirinë e votës u shpreh se është e patolerueshme dhe e pafalshme që të kërcënohet liria e votës në shekullin e 21. “Të drejtën për të votuar nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e merr dot Sali Berisha. Te drejtën për të jetuar nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e merr dot Sali Berisha. Të drejtën për të qënë të lirë dhe për të ëndërruar e shpresuar për një Shqipëri të lirë me një votë kundër Sali Berishës nuk na e ka dhënë Sali Berisha, nuk mund ta heqi Sali Berisha dhe përkundrazi falë kësaj të drejte Sali Berisha do të largohet më 28 qershor”, theksoi kreu i PS-së Rama. Rama u shpreh i bindur në fitoren e Partisë Socialiste pasi Shqipëria nuk mund të humbasë të ardhmen e fëmijëve të saj. “Ne do të fitojmë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë, ne do të fitojmë sepse Përmeti nuk mund të humbasë, ne do të fitojmë sepse fëmijët e Përmetit dhe të gjithë Shqipërisë nuk mund të humbasin. Ne do të fitojmë sepse të moshuarit këtu për vete dhe për të gjithë Shqipërinë nuk mund të humbasin. Ne do të fitojmë sepse ne të gjithë nuk mund të humbasim betejën me varfërinë, me papunësinë, me korrupsionin, me injorancën me dhunën”, tha Rama.