Disa përmbarues privatë dhe punonjës të policisë kanë liruar ambientet e lokalit të këngëtares Rovena Dilo, sikundër ishte paralajmëruar. Kjo për shkak se disponohen dokumente që prona është në emër të deputetit Tom Doshi dhe ish-deputetit Ndriçim Babasi. Nga ana tjetër, këngëtarja pretendon pronësinë mbi këtë lokal. E pranishme në çastin e sekuestrimit të ambientit të lokalit nga përmbaruesit, ajo ka shpërthyer në lotë dhe britma. Këngëtarja i ka bërë thirrje policisë ta mbrojë nga përmbaruesit, por pavarësisht thirrjeve të saj, ambienti është boshatisur. Rovenda Dilo ka drejtuar akuza dhe ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilin e ka akuzuar se ka vënë policët për t’i rrëmbyer pronën. “Nuk e di si shteti shqiptar do ta shlyejë këtë qytetare, që është dhe një person publik dhe që nuk është një njeri me probleme siç janë njerëzit që na vihen kundra”, ka thënë ndër të tjera këngëtarja. Sipas saj, ky akt është në kundërshtim me ligjin, pasi biznesi është sh.p.k dhe jo në pronësi të një individi.