Përleshje mes policisë dhe emigrantëve në Maqedoni

Kaos në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë, pas vendimit të qeverisë së Shkupit, për të mbyllur kufijtë. Vendimi i pengon emigrantët të kalojnë tranzit përmes Maqedonisë, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Policia maqedonase përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë mijëra emigrantë, kryesisht nga vendet e lindjes së mesme, të cilët ishin bllokuar në territorin neutral në kufirin mes dy vendeve.

Advertisement

Përplasjet me forcat speciale maqedonase u shkaktuan lëndime disa emigrantëve.

Gjatë natës, një polic mbeti i plagosur nga goditjet me thikë të një emigranti në Gjevgjeli, qyteza më e prekur në Maqedoni nga fluksi i jashtëzakonshëm i refugjatëve. Linja hekurudhore që kalon aty shfrytëzohet prej tyre në rrugëtimin drejt Europës. Rreth 3 mijë emigrantë, mes tyre edhe fëmijë kaluan natën në kampet e qytezës, në kushte mjaft të këqija, me mungesa të theksuara ushqimi e uji të pijshëm.

Qeveria maqedonase shpalli të enjten gjendjen e krizës, për shkak të fluksit të papërballueshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët kalojnë nga Turqia e Greqia drejt Maqedonisë e Serbisë, për një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Europian.