Vetëm këtë të premte ka pasur tre viktima dhe dy të plagosur nga pesë aksidente të ndryshme në Durrës, Kavajë, Korçë, Fier dhe Lezhë.
Në mesditë, një betoniere përplasi në një nga rrugët e Durrësit 71-vjeçarin Neshit Lufta, i cili po lëvizte në rrugë me biçikletë. Aksidenti ndodhi pak metra larg spitalit rajonal, por përplasja ka qenë fatale dhe i aksidentuari humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa policia ndaloi drejtuesin e betonierës, 58-vjeçarin Petrit Pasha nga Durrësi. Një tjetër aksident rrugor me pasojë vdekjen u regjistrua në vendin e quajtur Përroi i Rikajt, pranë varrezave në qytetin e Kavajës, ku një 30-vjeçare humbi kontrollin mbi automjetin tip “Volksvagen Golf” që drejtonte dhe përfundoi në kanal.
Ndërkohë në Korçë, një aksident ka ndodhur në aksin Kor¢ë – Pogradec afërsi të fshatit Lumalas. Mjeti përplasi një këmbësor rreth të 50-tave që po kalonte ne anë të rrugës. I plagosuri humbi jetën rrugës për në spitalin e Korçës ndërsa autori i aksidentit u largua nga vendngjarja.
Ndërkohë një aksident tjetër ndodhi në Shëngjin, ku një vajzë e mitur afgane u përplas nga një automjet duke ecur në rrugë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu u largua nga vendngjarja. Gjithashtu në Fier në lagjen “Sheq i Madh”, një automjet goditi një 60-vjeçar që po ecte me biçikletë. Fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një ditë më parë, tre të rinj mbetën viktima të një aksidenti në mbikalimin e Saukut.
Mjeti ‘Audi’ që drejtohej nga 20-vjeçari Klevis Ruçaj hyn në rrethrrotullim me shpejtësi mbi 200 km në orë për pak sa godet një mjet tjetër në rrethrrotullim e më pas thyen barrierat anësore dhe bie mbi një automjet që po kalonte në autostradë. Përplasja rezultoi fatale për 23-vjeçaren Sikela Përroi dhe për 22-vjeçaren Erisilda Abedinin. Pak orë më vonë në spital ndërroi jetë dhe 20 vjeçari të cilin ia mori jetën pasioni I tij për shpejtësinë.
Vdekjet nga aksidentet vazhdojnë të rriten, ndërsa çdo vit në rrugë humbin jetën dhjetëra persona për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Shumica e shkeljeve ndodhin si pasojë e sjelljes së drejtuesve të automjeteve, por në rritje, sipas ekspertëve rrugorë, janë dhe shkeljet nga ana e këmbësorëve.