Përfundon privatizimi i INSIG

Në vijim të procesit lidhur me privatizimin e INSIG, Ministria e Financave informon se kompania fituese, EUROSIG, ka kryer sot pagesën në përputhje me ofertën e paraqitur në vlerën 16 milionë euro. Tenderi për shitjen 100% të paketës së aksioneve të zotëruara nga Shteti në Shoqërinë INSIG Sh.a. u shpall në Janar të këtij viti pas një vlerësimi të detajuar të kompanisë. Në datën 10 mars 2016, Komisioni i Vlerësimit të ofertave në Ministrinë e Financave, zhvilloi procedurën për pranimin dhe administrimin e ofertave. Katër kompani shprehën interesim për privatizimin dhe paraqitën ofertat e tyre financiare, të cilat u vlerësuan dhe klasifikuan në bazë të çmimit më të lartë të ofruar, cilësisë së investitorit (eksperiencë në tregun e sigurimeve dhe shtrirje rajonale/ndërkombëtare), si dhe planit të biznesit të propozuar. Pas paraqitjes së propozimit për shpalljen e kompanisë fituese nga ana e Komisionit të Vlerësimit të ofertave, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë me vendimin Nr.218, miratoi procedurën e tenderimit për shitjen e paketës së 100% të aksioneve të zotëruara nga shteti në shoqërinë “INSIG” sh.a., Tiranë dhe shpalli fitues shoqërinë “EUROSIG” sh.a., Tiranë. Fituesi i tenderit, brenda afateve ligjore, ka kryer pagesën e plotë prej 2.222.122.000 leke. Gjatë javës në vjimim do të kryhen procedurat e nevojshme për transferimin e plote të aksioneve, duke përmbyllur me sukses për herë të parë, pas tre dështimeve të qeverisë së kaluar, procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore INSIG.

Advertisement