Përfundon afati i Presidentit, nuk zgjidhet Këshilli i Emërimeve

Wednesday, September 9, 2026

Presidenti i Republikës në ditën e fundit të afatit kushtetues për përzgjedhjen me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka bërë të ditur se e ka të pamundur ta zhvillojë këtë proces për shkak të kontradiktave që ka vetë Kushtetuta e ndryshuar më 21 korrik.
“Duke marrë në konsideratë që Këshilli e Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme në hierarkinë e organeve të pavarura në drejtësi, Kushtetuta ka pasur si qëllim që të përzgjidhen kandidatët me cilësitë më të larta dhe për të respektuar parimin e kushtetutshmërisë funksionale, çmoj se në mungesë të kritereve të tjera që do të përcaktohen me Ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në mungesë të ligjeve që përcakton kriteret e tjera të kualifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhur në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo edhe të ligjit të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e anëtarëve të përzgjedhur me short, ky short do të ishte joefektiv dhe nuk do t’i shërbente aspak qëllimit për të cilin u bënë edhe ndryshimet kushtetuese”, thotë Presidenti.
Për të gjitha arsyet e mësipërme, Presidenti vlerëson se nuk mund të ushtrojë të drejtën e përzgjedhjes me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përsa kohë mungon ligji i posaçëm që përcakton kriteret e tjera për kualifikimin e kandidatëve që do t’i nënshtrohen shortit.
Afatet e vendosura nuk mund të respektohen, thotë Presidenti dhe çmon se dispozitat përkatëse të Kushtetutës duhet të rishihen, referuar edhe ligjeve të tjera referuese që do të miratohen.

RELATED ARTICLES
Advertisement
DIGICOM