“Për herë të parë dhe të fundit, në dimension tjetër”, Barbana surprizon me bashkëpunimin e ri me Ergi Dinin

Largimi i parakohshëm nga jeta i Ergi Dinit ishte një humbje e madhe për fushën e muzikës. Përpos miqve dhe kolegëve që nuk lënë rast pa e kujtuar artistin, motra e tij, Barbana Dini, ka treguar se kujtimi i të vëllait do të jetë gjithmonë më i shtrenjti për të.

Edhe pse në dukje diçka e paarritshme, këngëtarja ka publikuar një këngë të re në bashkëpunim me Ergin. Bëhet fjalë për një projekt muzikor të pa zbuluar më parë të artistit, muzikën e së cilit e ka krijuar vetë ai, e vargjet sëbashku me Pandi Laçon.

Advertisement

Barbana i është bashkuar këtij projekti, për të risjellë Ergin në sytë tanë përmes muzikës. Ajo ka realizuar dhe një videoklip, në të cilin shfaqet dhe artisti nëpërmjet disa imazheve të klipeve të mëparshme. Një gjest i tillë ka prekur të gjithë fansat dhe artistët kolegë, të cilët e kanë përkrahur Barbanën deri në fund. “Ku je” u publikua mbrëmjen e djeshme, pikërisht në ditën e lindjes së Ergit.

“Aty ku bashkohemi të dy për herë të parë dhe të fundit, në një dimension tjetër”, ka shkruar Barbana, duke e cilësuar si bashkëpunimin më të rëndësishëm në aspektin profesional dhe personal. Natyrisht, kjo ishte mënyra më prekëse dhe e arrirë për ta kujtuar Ergin më 15 tetor…

/News31.al/