Partia Demokratike përmes deputetit Sherefedin Shehu e ka cilësuar skemën e re të pensioneve të qeverisë si shkatërruese.
Deputeti Shehu tha se Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama gënjejnë kur thonë së nën qeverisjen demokrate nuk janë paguar sigurimet. Sipas PD-së i ashtuquajturi pension social është në fakt ndihma e sotme ekonomike. “Me pensionin social ata përgjysmojnë pensionin minimal nga 125 mijë lekë në 67 mijë lekë. Me trefishimin e kontributeve në fshat ata ju heqin fermerëve pensionin e barazuar me qytetin dhe ju thonë mjaft e keni pensionin social. Me heqjen e tavanit të pensioneve e thellojnë padrejtësinë mbasi skema e Ramës i rrit pensionet për ata që kanë paga të larta dhe i ul për ata që kanë paga të ulëta. Me gënjeshtrat e tyre Rama dhe Veliaj po tentojnë të largojnë vëmendjen nga skema e tyre shkatërruese e pensionit social, nga dështimet e vazhdueshme, nga rritja e varfërisë dhe e papunësisë.” Për opozitën kjo është një skemë për të përhapur panik në opinionin publik dhe për ta manovruar atë sipas qëllimeve të qeverisë.