Zv.kryeministri Niko Peleshi ka dalë në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për pezullimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Lulzim Basha, në kohën kur ishte në krye të bashkisë.
Duke folur nga Korça, Peleshi tha se “lejet e ndërtimit, në veçanti kohët e fundit, kanë qenë abuzive dhe klienteliste”.
Gjatë fushatës, kryebashkiaku aktual Erion Veliaj premtoi se do të bënte auditin e të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna nga paraardhësi i tij.
Prokuroria e Tiranës bëri të ditur të martën se ka nisur hetimin për lejet e ndërtimit të dhëna nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duke verifikuar të gjithë dokumentacionin për lejet e dhëna gjatë periudhës qershor 2013-korrik 2014. Hetimi ka nisur pas kallëzimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.