Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet kërkon që çështja e reformës në drejtësi të zgjidhet përmes referendumit. Deputetja Mesila Doda tha se kjo është rruga më e mirë për të miratuar këtë reformë kaq të rëndësishme. “Ne mendojmë se e drejta për t’u shprehur duhet t’i kalojë sovranit, më shumë se sa interesave të ngushta të partive politike. Gjithë përmbajtja e dakordësuar mund të votohet menjëherë në Parlament, apo të vendoset në referendum, ndërsa për çështjet ku palët kanë diferenca propozojmë që të shprehet detyrimisht sovrani në një referendum me më shumë se një alternativë”, ka thënë ajo. Doda paralajmëroi se partia e saj nuk do të votojë asnjë nen tjetër në paketën e ndryshimeve kushtetuese që nuk lidhet me reformën në drejtësi, duke nënkuptuar kështu ndryshimet për martesat midis të njëjtës gjini. “Nga ana tjetër, ne kërkojmë që të gjithë paragrafët që nuk lidhen me reformën në drejtësi të hiqen nga projekti i ndryshimeve kushtetuese si akte që nuk kanë lidhje me thelbin e kësaj reforme dhe që krijojnë konfuzion dhe pasoja për jetën sociale të vendit. PDIU nuk do të votojë asnjë nen që nuk ka lidhje me reformën.”