Partia Demokratike siguroi sot se, nuk do të ndalet në kërkesën e saj për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe se do të vijojë me protestat qytetare para Kuvendit.
Përmes një deklarate për shtyp, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka u shpreh se “bashkë me qytetarët, më 12 mars, treguam njëzëri se kjo është kërkesa jonë, kërkesa legjitime e mbarë shqiptarëve”.
“Ne kërkojmë që Ilir Meta të dorëhiqet dhe Edi Rama të mbajë duart larg hetimit, në mënyrë që të kemi një proces të plotë, të drejtë, të painfluencuar nga pushteti. Nesër që në orën 9:30, bashkë me qytetarët e vendit, do ta ritheksojmë edhe një herë kërkesën tonë në dyert e Parlamentit. Ne nuk të ndalemi, derisa të ketë drejtësi, derisa të ketë ligj, derisa të zbardhet e vërteta”, tha Paloka.
Sipas tij, “parlamenti dhe demokracia kanë pësuar goditjen më të rëndë të këtyre 25 viteve, kur kryetari i institucionit më të rëndësishëm në vend, gjendet nën akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve”.
“Megjithëse janë bërë 16 ditë që Ilir Meta gjendet publikisht nën akuzën më tronditëse të dy dekadave të fundit, ai jo vetëm nuk ka reflektuar, nuk ka dhënë dorëheqjen për t’i hapur rrugën drejtësisë, por në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën, me Saimir Tahirin dhe gjithë strukturat shtetërore që kanë në dorë, po i bëjnë presion prokurorisë, dëshmitarëve kyç, po tentojnë fshehjen e të vërtetës”, vijoi Paloka.
Sipas tij, “kërkesa e Partisë Demokratike dhe qytetarëve shqiptarë është të kemi hetim të plotë, objektiv dhe të drejtë”. “Ne do ta çlirojmë vendin nga sundimi i krimit”, tha Paloka.