PD të ushtrojë rolin kushtetues, mazhoranca i ka plotësuar kërkesat e saj

Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i deputetëve që e shoqëron atë në vizitë zyrtare në Bruksel, kanë zhvilluar një takim me Kryetarin e Grupit të Partive Popullore Europiane, Manfred Weber.

Në takim u ndanë disa vlerësime lidhur me përmbushjen e kërkesave të paraqitura nga Partia Demokratike si kushte për vazhdimësinë e bojkotit. Pas takimit Nënkryetari i Grupit të PS njëherësh dhe nënkryetar i Komisionit të Integrimit në Kuvend, Taulant Balla u shpreh se kanë informuar z. Weber për ngritjen e dy komisioneve hetimore dhe se pritet ende që opozita të zërë vendet në këto komisione. “E informuam, gjithashtu, për sa i përket çështjes së hapësirës që i jepet opozitës në Parlamentin e Shqipërisë. Kemi bërë një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit ku tashmë opozita mund të flasë sa herë të dojë dhe kur të dojë. Ndamë të njëjtin qëndrim me kryetarin Weber që të ruajmë një kanal komunikimi të përhershëm me opozitën, pasi ne duam që e njëjta frymë komunikimi që ekziston këtu, në Parlamentin Europian, ndërmjet grupit S&D dhe grupit të Partive Popullore Europiane të ekzistojë në Shqipëri, sepse duam që bashkëpunimi me opozitën, për sa i përket marrëdhënieve me Parlamentin Europian, marrëdhënieve me Komisionin ta kemi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.” Për z. Balla mbetet në vlerësimin e vetë Partisë Demokratike që në funksion të tyre të ushtrojë rolin e vetë kushtetues në Kuvendin e Shqipërisë, pasi mazhoranca i ka pranuar e realizuar të gjitha kërkesat e opozitës.

Advertisement