PD: Të akuzuarit për përdhunim e falsifikim, në Doganë e Tatime

Partia Demokratike ka denoncuar emërimin në administratë të personave me precedentë penalë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së Orjela Nebijaj ka folur lidhur me emërimin e Elton Bashollit në Doganë dhe të Relis Mullës në Drejtorinë e Tatimeve të Korcës.
“Çfarë mund të ndodhë me një të denoncuar për përdhunim, të shpallur në kërkim nga policia në prill të vitit 2010? Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, një person i tillë bëhet doganier. Kjo ka ndodhur me Elton Bashollin në Korcë. Nëse bëni një kërkim në arkivë do t’iu dalin dhjetra lajme për këtë ngjarje të rëndë, ku një e re nga ky qytet e ka denoncuar pas dhunimit seksual, dhe ndaj tij ka filluar procedimi.Sot është doganier i Edi Ramës dhe Ilir Metës, gjë që e tregon edhe ai vetë në Facebookun e tij. Po me një të arrestuar në Korcë, në korrik të vitit 2011, për falsifikim pasaportash, për paisje me këtë dokument të personave që kishin probleme me drejtësinë në vendet e BE-së, çfarë mund të ndodhë? Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, ai bëhet specialist i IT-së, në Drejtorinë e Tatimeve të Korçës. Relis Mulla u arrestua dhe ndaj tij nisi procesi hetimor në korrik të vitit 2011, pasi kishte prodhuar dhjetra pasaporta përmes falsifikimit të të dhënave, për persona me precedentë në Europë. Sot, falsifikatori i pasaportave është specialist i IT, në zyrën e Tatimeve, pikërisht ay ku janë të dhënat konfidenciale të qytetarëve dhe bizneseve”, thuhet në reagimin e PD-së.

Advertisement